Ambasadori gjerman viziton Devolli Corporation – shprehet për rritje të bashkëpunimit me Gjermaninë
Ambasadori gjerman viziton Devolli Corporation – shprehet për rritje të bashkëpunimit me Gjermaninë
Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka vizituar sot Devolli Corporation, gjegjësisht fabrikën Prince Caffe në Pejë, ku është pritur nga themeluesi Shkëlqim Devolli me bashkëpunëtorë.
Ambasadori gjerman ka parë nga afër procesin e prodhimit të llojeve të shumta të kafesë Prince dhe ka komentuar investimet që tash e disa vjet Devolli Corporation bën në shtetin e tij.
“Është lajm i mirë që brendi kosovar Prince Caffe dhe zingjiri ‘Prince Coffee House’, ka filluar të shtrihet gjithnjë e më shumë nëpër Gjermani. Gjithashtu, gëzohemi edhe për investimet në fushat e tjera të ekonomisë. Ne besojmë se ky bashkëpunim do të shkojë duke u rritur”, është shprehur diplomati Rohde.
Aksionari Devolli i ka treguar ambasadorit për investimet e deritashme të korporatës në shtetin gjerman, si dhe për planet e investimeve në të ardhmen.
“Ne tash e disa vjet jemi shumë aktivë me prodhimet tona në tregun e disa rajoneve të Gjermanisë. Furnizojmë me prodhimet tona ushqimore disa zingjirë marketesh gjermane, si dhe dyshekët dhe produktet e tjera të Comoditas, edhe si lëndë e parë edhe si prodhime të gatshme. Tashmë, ka filluar edhe faza e investimit serioz në shtrirjen e zingjirit të lokaleve ‘Prince Coffee House’ në Dyseldorf, për të vazhduar pastaj edhe në qytete të tjera”, ka thënë Devolli.
Ambasadori gjerman dhe aksionari i Devolli Corporation janë pajtuar se nga ky bashkëpunim përfiton Kosova dhe Gjermania dhe se kjo ndikon edhe në thellimin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet kosovarëve dhe gjermanëve.